Kreu i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë se biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli u kërcënua me jetë në lidhje me çështjen e aeroportit të Vlorës.
Berisha tha se Pacolli informoi shqiptarët për një skandal tjetër pas tunelit të Llogarasë, duke e cilësuar aeroportin e Vlorës si një tender që nuk u zhvillua kurrë përveç se në zyrën e Lubisë, duke iu referuar zv/kryeministres Belinda Balluku.
Kryedemokrati tha se kërcënimi me jetë i Pacollit është një moment supermafioz dhe se ka domethënien e “enturazhit të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut”.
“Pas skandalit të tunelit të Llogarasë, Pacolli informoi shqiptarët për të një tender që nuk u zhvillua kurrë përveçse në zyrën e Lubisë. Rama dhe Balluku parashikuan aeroportin më të madh në Ballkan që të bëhej vjedhja më e madhe. Ne nuk ndërhymë në punët e brendshme të aksionerëve, i zgjidhin vetë me gjykatë, por kishte një moment aty, momenti supermafioz i kërcënimit me jetë të Behgjet Pacollit. Ai ka domethënie të madhe. Ka domethënien se cilët janë enturazhi i Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Pacolli natyrisht me atë superkujdesin e tij nuk tha Ramën, por nëse thotë Ballukun, tha Ramën. Pra, qytetarët duhet ta dinë se 2 ministra të qeverisë socialiste, Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk kanë pranuar të firmosin tenderin për aeroportin e Vlorës sepse nuk ishin dakord për 120 mln euro që duhej paguar biletat e munguara dhe ata normal kërkuan që aeroporti të ndërtohet me faza. Kanë kërkuar atë që duhet bërë dhe nuk pranuan të firmosin”, tha Berisha mes të tjeras.
