Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se nuk do të ulet në një tryezë me kryeministrin Edi Rama për Reformën Zgjedhore, pas dakordësisë PS-PD në Kuvend që shënoi edhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar.
Berisha tha se mbështet tezën për krijimin e dhomës së Senatit dhe reduktimin e numri të deputetëve në Kuvend.
Kjo çështje tha kryedemokrati do të diskutohet mes anëtarëve të komisionit, përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Pyetje: Jeni i gatshëm të uleni me kryeministrin Edi Rama për Senatin?
Sali Berisha: Nuk kam thënë atë. Më vjen keq që e shtroni. Ka një komision parlamentar. Ai komision dhe ai ligj nuk parashikon aspak, në asnjë rrethanë uljen time me Edi Ramën. Ai parashikon që përfaqësuesit e të dy partive në komisionin për zgjedhjet, të diskutojnë edhe këto çështje, çështjen e senatit, po u pranua senati, vetvetiu numri i deputetëve do reduktohet. Dhe unë jam për këtë variant.
Ideja e senatit nuk është një ide ime, fillimisht është dhënë nga i ndjeri Sabri Godo dhe mbrojtur me shumë aftësi. Por qëndron si ide, vendi mund të ketë një senat me një numër më të reduktuar deputetësh në mënyrë që të mos shtohet fatura fiskale e këtij institucioni.
