Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë një thirrje të qartë për qytetarët dhe subjektet politike gjatë orëve të fundit të procesit të votimit. Ai paralajmëroi se kushdo që tenton të fotografojë votën do të përballet me pasoja ligjore, ndërsa theksoi se pranë Qendrave të Votimit (QV) nuk duhet të qëndrojnë persona që nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor.
“Paligjshmëria me votën është e dënueshme me deri në 3 vite burg,” u shpreh Celibashi, duke bërë thirrje për raportimin e çdo individi të dyshimtë që qëndron pranë QV-ve. Ai nënvizoi se partitë politike dhe qytetarët duhet t’i përmbahen rregullave deri në mbylljen përfundimtare të votimit, ndërsa konfirmoi se janë marrë disa referime nga Task Forca për raste të dyshuara shkeljesh.
Ilirjan Celibashi: Kush fotografon votën, do të ketë pasoja ligjore. Ata që nuk kanë lidhje me QV, të qëndrojnë larg. Paligjshmëria me votën është dënim me 3 vite burg. Të raportohet për personat që qëndrojnë pranë QV. Kanë mbetur edhe pak orë nga mbyllja e votimit. Partitë politike dhe qytetarët duhet t’i përmbahen ligjit. Kemi pasur disa referime nga Task Forca.