Ky është momenti kur kryeministri sllovak, Robert Fico qëllohet me armë zjarri. Megjithëse pamjet nuk janë shumë të qarta, dëgjohet zhurma e plumbave. Një video e momentit të sulmit është publikuar në rrjetet sociale.

Vetë sulmi nuk është i dukshëm, por në video dëgjohen të bërtiturat dhe të shtënat. Fico u qëllua në bark pas një takimi të kabinetit në Handlova, është në gjendje të rëndë pas atentatit me armë zjarri.

Zëdhënësja e spitalit në Handlovës ka thënë se kur është shtruar ka qenë i vetëdijshëm, se lëndimet i janë trajtuar dhe se është stabilizuar. Mediat shkruajnë se Fico është afruar me qytetarët pas takimit të qeverisë dhe se një burrë e ka thirrur me fjalët “Robo hajde këtu” dhe se e ka qëlluar me armë zjarri. Pasi truprojat e larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, Fico u dërgua në spital.

Ai është transportuar me helikopter në Banska Bystrica, sepse do të duhej shumë kohë për të arritur në kryeqytet, Bratislavë për shkak të domosdoshmërisë së një procedure akute. Policia ka arrestuar menjëherë sulmuesin.

Ndryshe, Handlova ndodhet rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak Bratislavë. Fico u qëllua me armë zjarri para Shtëpisë së Kulturës, ku kishte shkuar për të takuar mbështetësit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb