Situata ka degraduar në tensione të forta pasditen e sotme përpara Parlamentit, ku deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, është përfshirë në një përplasje verbale me protestuesit.

Ndërsa zona përreth institucionit ishte tërësisht e rrethuar nga një masë e madhe qytetarësh që vijonin tubimin, Bido ka tentuar të kalojë mes përmes turmës në drejtim të sheshit “Fan Noli”.

Bido ka sfiduar protestuesit duke iu afruar qytetarëve në një moment kur gjakrat ishin mjaft të nxehta dhe duke i ofenduar  dhe provokuar ata, duke i quajtur “egërsi publike”.

Prania e deputetit të mazhorancës nuk është pritur aspak mirë nga turma, e cila ka shpërthyer menjëherë në thirrje të ashpra dhe kërkesa të prerë që ai të largohej menjëherë nga aty. Përballë revoltës në rritje, kanë ndërhyrë efektivët e Policisë së Shtetit.

Sakaq, forcat e rendit kanë krijuar një kordon sigurie, duke bërë të mundur shkëputjen dhe largimin e Bidos.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb