“Dhimbja kërkon shenjtëri”, libri i pedagoges së Universitetit “Luarasi”, Arsejda Gjyli, i sapodalë në botim, do të jetë pjesë e panairit të Librit që do të hapet ditën e mërkurë në datë 12 nëntor.

Autorja ishte e ftuar në studion e News24 ku shpreu anën tjetër të saj të panjohur nga publiku, i cili e njeh si një analiste e çështjeve të aktualitetit dhe politikës së vendit, në debate televizive, atë të poetes.

Autorja tha se i janë dashur disa vite të shpërfaqte veten tek publiku, për atë që mendon, filozofinë e saj për jetën.

“Unë e kam parë në mënyrë kritike krijimtarinë time, në mënyrë të vazhdueshme, madje deri në pikën ku ky kriticizëm po kthehej në vetëpërmbajtje e cila është e mirë deri në njëfarë pike kur nuk bëhet penguese.

Libri u nis dhe u reklamua në revistën “Psikologjia” që në janar të 2024, por angazhimi politik e la mënjanë botimin. Ka qenë një dekadë e tërë refleksioni, ndjenjash, mendimi, jam thelluar në filozofi atë ekzistencialiste, stoike.

Në njëfarë mënyre libri nuk vjen si një koncept i dashurisë në termat e vetëm ndjesores, por më shumë në formën e  reflektimit.

Të asaj që tek dashuria përpiqemi të gjejmë kuptimin e jetës, tek dhimbja përpiqemi të njësojmë vetë dinjitetin njerëzor dhe mënyrën se si njeriu në momentet e dhimbjes e vështirësisë të mos e humbë veten, por duhet nganjëherë, sic e them në një nga poezitë e mia, kur e sheh njeriu veten të vogël përballë vështirësisë, t’i kthejë sytë tek një fuqi që është më e madhe se vetja”, tha pedagogia Arsejda Gjyli.

Ajo ka shpjeguar dhe kuptimin e titullit “Dhimbja kërkon shenjtëri”.

“Ky titull ishte përfaqësimi i tre koncepteve, i konceptit të filozofisë ekzistencialiste, i konceptit të dashurisë flijuese që identifikohet me njeriun më të shtrenjtë që ne kemi në botë që është nëna dhe elementi i tretë është koncepti i shenjtërisë, që i ngre duart lart dhe kërkon të besojë në dicka dhe në libër një nga poezitë e mia thotë se ne i drejtohemi zotit kur ne kuptojmë se jemi të vegjël”, u shpreh Gjyli.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb