Zv/kryeministrja, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pandehur e SPAK për aferat miliona euro me tenderat, rreth 1 vit e gjysmë më parë u shfaq në një video duke paralajmëruar dhe kërcënuar punonjës të Ujësjellësit të Vlorës se kush ka vjedhur do të përballet me SPAK-un dhe drejtësinë.

Atëherë, Balluku tha se kishte zbuluar një skemë korrupsioni në UKV, ndërsa kërkoi nga punonjësit që të bëheshin gati të përballeshin me drejtësisë, pasi sipas saj nga skema e paligjshme ishin zhdukur miliona lekë nga buxheti i Ujësjellësit.

Balluku dëgjohet duke thënë se dosjen do ta dërgojë vetë në SPAK, ndërsa thekson se drejtësia është e pavarur dhe se PS ka marrë një vendim për të mos ndërhyrë. Madje, ajo citon edhe kryeministrin Edi Rama për të njëjtën çështje, premtimin e socialistëve se ata nuk komentojnë punën e organeve hetimore, qoftë edhe kur subjekt i tyre janë zyrtarët e lartë socialistë.

Por sot, e njëjta zyrtare ndodhet vetë nën hetim dhe e pandehur për akuza korrupsioni, por i është shmangur përballjes me SPAK duke refuzuar të japë dorëheqje nga funksionet qeveritare. Kjo, pavarësisht se Prokuroria e Posaçme e ka marrë zyrtarisht të pandehur dhe pak ditë më parë kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e saj, pasi t’i hiqet imuniteti parlamentar.

Kontrasti mes deklaratave publike të socialistëve dhe situatës së saj ligjore ngre pikëpyetje mbi standardet sa i përket respektimit të drejtësisë kur bëhet fjalë për “goditjet” në nivelet e larta, si në këtë rast. Dhe për më tepër kur vetë mazhoranca nuk mori një vendim për kërkesën e SPAK në Këshillin e Mandateve të premten, duke shtyrë mbledhjen pa caktuar një datë të re.

Çfarë tha Belinda Balluku në takimin me punonjësit e UKV (31 maj 2024)

Belinda Balluku: Sot kemi një përmirësim nivelesh të të ardhurave, kemi përmirësimin e humbjeve të ujit të pijshëm në rrjet. E vetmja ndërmarrje që ka një problem është ajo e Vlorës, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorë, kjo është diçka që ju duhet ta dini zyrtarisht, kjo nuk është një çështjet që do lihet në sirtarë, por do ndiqet ligjërisht për të gjithë të përfshirët. Kjo është detyra ime personale dhe stafit të Ministrisë dhe do t’i shkohet deri në fund. Do çoj dosjen në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Dosjet janë gati”, tha Balluku.

“Donin të bënin ca para dhe menduan se zbuluan skemën e shekullit. E keni dëgjuar kryeministrin, drejtësia në Shqipëri është e pavarur. Ne nuk ndërhyjmë kurrë në punët e drejtësisë, por ama edhe nuk lëmë gjë pa çuar në dyert e drejtësisë. Të jeni të qartë dhe të mos aludojë asnjëri se ardhja ime këtu është thjesht për të tërhequr vëmendjen. Unë punët i nis dhe i bitis, nuk jam nga ata që vij, flas, iki dhe harroj. Ditën kur vij të flas do të thotë se e kam bërë punën paraprake dhe është thjesht për t’u zyrtarizuar”, shtoi ajo.

Një mesazh ajo e ka pasur për punonjësit, që i quajti edhe grup të strukturuar kriminal.

“I keni hyrë detit në këmbë. I ka rënë në qafë popullit të Vlorës, bizneseve, pensionistëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë dhe për këtë do përgjigjeni të gjithë. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz shqiptar dhe në kurriz të popullit të Vlorës. Sot UKV është në risk për të mos ofruar dot shërbime në kulm të sezonit”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb