Pamjet që shihni tregojnë një skenë kaotike, ku gjatë një kontrolli policor në Çikago të SHBA, punonjësit e policisë qëlluan gati 100 herë në 41 sekonda pasi ndaluan mjetin e një të riu. Kanë qenë kamera e një prej policëve që ka filmuar gjithçka, ndërkohë që i riu ka ndërruar jetë. Video është regjistruar më 21 mars, ndërsa 26-vjeçari Dexter Reed, refuzoi të dilte nga mjeti pasi u konstatua se nuk kishte vënë rripin e sigurimit.

Papritur dhe ndërsa gjithsej pesë policë ndodhen rreth makinës me armë të nxjerra, dëgjohet një e shtënë, e ndjekur nga një breshëri plumbash nga oficerët. Sipas hetimeve që pasuan, policia ka qëlluar gjithsej 96 herë në 41 sekonda. Sipas një deklarate nga Zyra Civile e Përgjegjësisë së Policisë, provat fillestare tregojnë se Reed hapi zjarr i pari dhe katër oficerë iu përgjigjën sulmit “edhe pasi Reed kishte dalë nga automjeti dhe ishte në tokë”.

Megjithatë, siç vë në dukje New York Post, në videot e publikuara për publikun nuk ka asnjë imazh të qartë të 26-vjeçarit që ka qëlluar ndaj policisë. Por, thuhet se në makinën e tij është gjetur një armë. Familja e 26-vjeçarit po bën thirrje për një hetim të mëtejshëm për atë që ndodhi dhe çoi në vdekjen e tij, duke argumentuar se të shtënat ishin të paligjshme duke qenë se oficerët nuk kishin veshur uniforma dhe nuk u identifikuan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: