Një operacion i suksesshëm ndërkombëtar ka çuar në pranga shtetasin shqiptar Florenc Çapja 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.
Arrestimi i tij në Dubai dhe ekstradimi drejt Shqipërisë u realizua në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit të ngushtë të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë dhe strukturat e INTERPOL-it.
Policia e Shtetit përmes një komunikate zyrtare për mediat njofton se Florenc Çapja lindur në Elbasan, ishte person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ishte arrestuar më herët në Dubai, por tashmë është finalizuar ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj 44-vjeçarit rëndojnë disa masa sigurie dhe akuza të rënda nga organet gjyqësore shqiptare:
-Vendim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) në vitin 2022, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
-Vendim nga Gjykata e Elbasanit në vitin 2021, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky arrestim është konsideruar një tjetër dëshmi e efikasitetit të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.
“Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë,” – thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit.
(BalkanWeb)
