Katër persona janë dëmtuar si pasojë e një zjarri të shkaktuar nga benzina në një skaf që po riparohej në Porto Palermo, Himarë.Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, në breg të detit, ku katër persona po punonin për riparimin e motorit të skafit.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë punimeve dyshohet se njëri prej tyre ka qenë duke konsumuar cigare.

Në këto momente, benzina e pranishme pranë motorit dhe në serbator dyshohet se ka marrë flakë, duke shkaktuar një zjarr të menjëhershëm. Të katër personat që po punonin në skaf kanë pësuar djegie, ndërsa për t’i shpëtuar flakëve janë hedhur në det.

Të dëmtuarit janë identifikuar si Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu. Ata dyshohet se kanë pësuar djegie si pasojë e kontaktit me benzinën gjatë incidentit. Njëri prej tyre ka marrë djegie të shumta.

Katër personat janë transportuar fillimisht në spitalin e Himarës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk dihet shkalla e plotë e dëmtimeve.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të zjarrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: