Një situatë alarmante është krijuar në Halkidiki të Greqisë, ku një zjarr i madh ka përfshirë zonën e Sivirit, në Kasandra, duke iu afruar banesave dhe bregdetit. Autoritetet kanë aktivizuar sistemin 112 për evakuimin e Sivirit dhe Fourkës, ndërsa banorë dhe turistë po largohen edhe përmes detit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një zonë me pyje me pisha dhe bimësi të dendur, të ndihmuara nga erërat e forta. Pamjet nga vendngjarja tregojnë flakët pranë banesave, ndërsa janë raportuar edhe shtëpi të përfshira nga zjarri.

Situata në bregdet ka detyruar autoritetet të organizojnë një operacion të gjerë shpëtimi. Anije të Rojës Bregdetare dhe mjete private janë vendosur në dispozicion për të nxjerrë njerëzit nga plazhet e Sivirit dhe Fourkës. Ndërkohë, në rrugët e zonës janë krijuar radhë të gjata automjetesh, pasi trafiku është ndërprerë në disa pika dhe janë vendosur devijime për shkak të zjarrit. Një zjarrfikës është plagosur në këmbë dhe është transportuar në spitalin e Poligjiros. Shërbimet e emergjencës janë vendosur në gatishmëri të shtuar, me ambulanca dhe ekipe mjekësore në terren.

Flakët pranë banesave
Autoritetet lokale e kanë përshkruar situatën si shumë të vështirë. Fronti i zjarrit është përhapur në të dyja anët e rrugës që lidh Sivirin me zonën e Kasandrës, ndërsa erërat po favorizojnë përhapjen e flakëve. Në përpjekje për të frenuar zjarrin janë mobilizuar forca të shumta zjarrfikëse dhe mjete ajrore. Sipas raportimeve të fundit, dhjetëra zjarrfikës dhe automjete po punojnë në terren, ndërsa avionë zjarrfikës po ndërhyjnë nga ajri.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është regjistruar në zonën rurale të Akontios, në Beoti, ku janë angazhuar rreth 40 zjarrfikës, automjete dhe dy avionë për shuarjen e flakëve. Më herët, zjarre ishin raportuar edhe në Aitoloakarnani, në Makynia dhe Potamoula, por këto vatra janë vënë nën kontroll. Situata mbetet dinamike, ndërsa autoritetet greke vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve dhe evakuimin e banorëve e turistëve nga zonat e rrezikuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: