Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka deklaruar se policia kishte urdhër që në protestën e djeshme, të goditej kreu i demokratëve Sali Berisha dhe Noka.

Në videon e siguruar nga BalkanWeb, shihet Noka në protestën e djeshme duke komunikuar me Berishën, ndërsa i thotë këtij të fundit se në “listën” për t’u goditur ishin edhe deputeti i PD Luçiano Boçi dhe drejtuesit e tjerë të partisë.

“Ka pasur urdhër të prerë, informacioni im është që policia ka pasur urdhër me emra për të të goditur ty, mua dhe më pas Luçianon. Drejtuesit e partisë, me emra”, dëgjohet të thotë Noka.

Që në nisje të protestës së djeshme kishte molotovë dhe fishekjzarre në drejtim të institucioneve të ndryshme, ndërkohë që policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me piper.

Nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa në një moment kanë qenë deputetët e PD, Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Xhelal Mziu ata që edhe kanë pasur momente tensioni dhe kanë lëshuar akuza drejt policëve.

“S’ke turp! Jeni ushtarë, merreni me deputetë e njerëz të thjeshtë, legena, patronazhitë. Mos më prekni me dorë. Nuk mund të godisni.S’ke turp! Të isha si ty e hiqja uniformën e dorëzova. Si e han bukën në darke. Turp! Ju surretër jeni ushtarë para krimit. Godisni ju”, shprehet Boçi në protestë.

Ndërkohë Noka i quajti efektivët si mercenarët ë krimit.

“Do vijë dita, do vijë. Jeni shndërruar në një bandë. Pse funksiononi si bandë, nuk funksiononi si institucion kushtetues. Keni marrë urdhër, keni goditur direkt në sy liderin e opozitës. Jo të gjithë ju, po një nga ju. E kemi të filmuar, do e paguani. Do ta paguani shtrenjtë. Nuk jeni shërbëtorë të ligjit, jeni mercenarë të krimit të organizuar. Atij i shërbeni. Nuk e ka të gjatë sepse nuk mund të rrijë më ky kriminel në krye të qeverisë. Hoqët një narkotrafikant, keni vënë një vrasës politik në krye të policisë sot. Ndaj mos merrni urdhra prej tyre sepse gjithsecili prej jush ka familje. Edhe juve taksa Rama 2200 u ka shkuar, jo vetëm qytetarëve të thjeshtë. Edhe për ju çmimet e ushqimeve kanë shkuar në ekstrem. Ndaj mos u bëni mercenarë.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb