Sulmuesi meksikan Raúl Jiménez kujtoi ish-shokun e tij të skuadrës Diogo Jota, gjatë finales së Kupës së Artë të Concacaf, në stadiumin NRG në Houston të dielën, në sfidën ndaj SHBA.

Para fillimit të ndeshjes, ai hyri në fushë i veshur me një fanellë të Meksikës me emrin “Diogo J” në shpinë.

Kujtojmë që Jiménez ishte shok skuadre me sulmuesin portugez Jota për dy sezone, kur aktivizoheshin në radhët e Wolverhampton Wanderers.

“Diogo ishte një mik i shkëlqyer që luajti me mua te Wolves. Kishte raste që komunikonim gjatë, ndamë momente të mrekullueshme përveç gjërave të rëndësishme që po ndiqnim për atë kohë. Është e vështirë ta përtypësh diçka të tillë”, tha Jimenez të shtunën.

Pastaj, kur Jiménez shënoi golin e barazimit për Meksikën kundër Shteteve të Bashkuara në minutën e 27-të, u ul dhe bëri festimin karakteristik të Jotës.

Diogo Jota ndërroi jetë pas një aksidenti fatal, bashkë me vëllain e tij.

 

(J.S/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb