Grupi i parlamentar i PS zhvilloi sot mbledhjen e përmuajshme, pa mediat, në ambientet e Pallatit të Brigadave, në drejtimin e kryeministrit dhe njëherazi kryesocialistit, Edi Rama.
Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali është ulur në fund të sallës, e cila javët e fundit shihet me sy tjetër brenda socialistëve.
Ajo ka mbajtur qëndrime të ndryshme nga shumica e grupit, lidhur me çështjen e Belinda Ballukut.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të disa jave më parë, ajo refuzoi të ngrejë dorën, teksa u vendos marrja në mbrojtje e Belinda Ballukut.
Po ashtu, Spiropali vijoi ‘rebelizmin’ në heshtje kur bojkotoi seancën e 12 marsit në Kuvend, ku me forën e kartonëve u rrëzua kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin ish-zv/kryeministres. Në deklaratat e saj publike, Spiropali ka lënë të kuptohet se ka qenë kundër avokatisë për Ballukun dhe “bllokimit” që PS i bëri institucioneve ligjzbatuese, duke këmbëngulur se sikush është përgjegjës për veprimet e veta.
Ndërkohë, rreshtat e parë të mbledhjes së sotme të grupit të PS janë zënë nga të ‘preferuarit’, përfshirë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetë të PS.
