Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po e përdor ftesën e Presidentit të SHBA Donald Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën si një propagandë me qëllimin e vetëm për të ndikuar në vendimin që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në 22 janar për zv.kryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrest me burg.
Në një video në rrjetet sociale, Shehaj thotë se propaganda e qeverisë shqiptare pas ftesës që Donald Trump u ka dërguar qindra kryeministrave dhe krerësh shtetesh, është njësoj si propaganda e Lukashenkos në Bjellorusi, i cili po ashtu ka marrë të njëjtën ftesë si Rama nga Presidenti i SHBA.
Por në kontekstin shqiptar thekson Shehaj, Rama është duke e përdorur këtë ftesë për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila me vendimin që do të marrë për Ballukun, do të përcaktojë edhe fatin e kryeministrit shqiptar.
Kreu i Mundësia thekson se kryeministri i Shqipërisë është i shqetësuar për këtë vendim të datës 22 janar, pasi nëse Kushtetuesja pezullon nga detyra zv. kryeministren, i njëjti fat e pret edhe Ramën.
Ndaj Shehaj lajmëron se ditën që pritet të merret vendimi për zv.kryeministren, mbështetësit e Partisë Mundësia do të jenë jashtë Gjykatës Kushtetuese në protestë në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
Për këtë qëllim, prej javësh ‘Mundësia’ ka nisur një peticion për mbledhjen e 100 mijë firmave në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit me qëllimin për t’i dërguar në Kongresin amerikan, në Senat dhe në Parlamentin Europian.Fjala e Agron Shehaj:
Ftesë për Edi Ramën nga Shtëpia e Bardhë. Është identike edhe kjo për Lukashenkon. Dhe kjo nga Shtëpia e Bardhë dhe kjo me firmën e Donald Trump-it.
Po këtë ftesë e kanë marrë me qindra presidentë dhe kryeministra.
Dhe vetëm në Shqipëri, Edi Rama do ta shesë sikur me këtë shpëton nga drejtësia.
E vërteta është që propaganda e Edi Ramës synon të ndikojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në datën 22 janar.
Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë: Mundet të pezullohet nga detyra një zv.kryeministre nëse është kapur duke vjedhur? Dhe qartësisht ai vendim do të vlejë dhe për Edi Ramën. Dhe prandaj Edi Rama është shumë i shqetësuar sepse nëse gjykata mund të pezullojë Edi Ramën, Edi Rama s’ka çfarë të bëjë me ato 83 mandate që ka marrë dhe me të cilët kërcënon drejtësinë. Prandaj, në datën 22 janar, Frida ne do të jemi përballë Gjykatës Kushtetuese, të protestojmë në mbrojtje të drejtësisë dhe në mbrojtje të luftës kundër korrupsionit. Në orën 9:30, para Gjykatës Kushtetuese. I presim të gjithë!
