Shalke 04 ishte praktikisht e eliminuar që pas ndeshjes së parë, kur Mançester Siti triumfoi me përmbysje 3-2 në Gelsenkirshen, ndaj sfida e dytë më shumë ngjante si një procedurë formale për ekipin multimiloner të Pep Guradiolas.
Pavarësisht se shanset ishin thuajse 0, tifozët e Shalkes kishin prenotuar të gjitha biletat në sektorin mik të “Etihad Stadium” dhe kanë gjallëruar rrugët e Mançesterit me prezencën e tyre.
Por kulmi do të vinte në fund të takimit, atëherë kur rezultati në tabelën elektronike të stadiumit shënonte 7-0 për vendësit. Një rezultat dërrmues që do të shkatërronte mbrëmjen e kujtdo, por jo të atyre.
Tifozët e Shalkes, sikundër po bëjnë shpesh tifozët gjermanë në dekadën e fundit, kanë dhënë një leksion mbështetjeje për të gjitha tifozëritë në botë, duke përkrahur ekipin e tyre njëjtë sikur të ishin në fitore.
(j.s/BalkanWeb)
