NGA AURORA GOLEMI

KORCE– Jeta e familjes Memetaj do të ndryshojë rrënjësisht. Tashmë kjo familje, deri dje e pashpresë, dhe në kufijtë e mbijetesës, do të jetojë denjësisht në një shtëpi falë bujarisë dhe zemërgjerësisë të biznesmenit të ndërtimit Armando Pajtoni, i cili në mesin e miqve njihet me emrin Landi.

Landi ishte duke ndjekur emisionin “Njerëz në Fokus”, ku gazetarja Ola Bruko dhe drejtuesi i “Fundjavë ndryshe”, Arbër Hajdari, bënin apel për ta ndihmuar familjen Memetaj, nga fshati Dishnicë i Korçës.
Landi pa në ekran se familja Memetaj jeton në një barakë të improvizuar me llamarina, ku i ftohti depërton dhe jeta e Manuelës 2-vjeçare rrezikohet.

Themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari tha se kishte gjetur një banesë për familjen në qendër të Drenovës me vlerë 9 milionë lekë të vjetra. Thirrje iu be gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin të kontribuonin në llogarinë e hapur për të plotësuar shumen e parave në fjalë.
familja-e-varfer-drenove
Babai i dy fëmijëve nuk mund të rrinte indiferent ndaj dramës që transmetohej në televizor. I prekur emocionalisht, rrëmbeu telefonin dhe premtoi se do blinte shtëpinë për familjen që ditën pasuese, dhe do ta mobilonte atë. Dhe telefonata e tij ishte vendimtare.

Lot gëzimi u panë në sytë e kryefamiljarit në Dishnicë të Korçës, por telefonata e Landit përloti edhe Arbër Hajdarin, djalin me zemër të madhe që i ka vënë vetes mision të zbusë varfërinë në vend.

Mbrëmjen e së hënës duke parë familjarisht emisionin “Njerëz në Fokus”, Landi i nxitur nga vajza e tij Sara, nuk mund mos të reagonte pas klithmës së dëshpëruar për ndihmë të kësaj familje.

“Atë moment po shikonim televizor në shtëpi. Na erdhi shumë keq familjarisht, sidomos gocës sime. U lidhem me dikë për të bërë një lidhje me familjen. Në bazë të asaj lidhjes bëmë atë që duhej bërë, pasi vërtet familja ishte ekstrem e varfër. U ndjemë shume të dëshpëruar për atë familje, dhe menduam të bënim diçka. U dëshpëruam”, tha Armando Pajtoni, biznesmen ndërtimi.

Nëse Landi dëgjon për dikë në vështirësi, apo nëse dikush troket në derën e tij për ndihmë, ai e ka një zgjidhje. Në autostradën ku zhvillon biznesin e tij të ndërtimit “Pajtoni SHPK”, është i pafund numri i njerëzve ai i ka ndihmuar financiarisht në situata të ndryshme. Motoja e Landit është: “Pasuria shtohet kur e ndan!” Ai thotë se “mundësitë janë, dhe mjafton pak bamirësi për të nxjerrë nga varfëria të pamundurit!”

“Nuk është humbje e madhe për biznesin nëse kontribuon”, thotë ai.

Kjo është vetëm një prej veprave bamirëse që biznesmeni ka kryer por asnjëherë më parë nuk është shfaqur publikisht. Edhe sot u deshën minuta të tëra për ta bindur të flasë para kamerës.

“Mundohemi të ndihmojmë sa më shumë i punësojmë ndihmojmë njerëz të sëmurë, nderi nuk duhet përmendet. Nuk jam marrë me mediat, ju falënderoj shumë ju që bëni lidhjet falënderoj Arbërin dhe “News 24” që më dha mundësinë të kontribuojmë për këtë familje. Falënderoj zotin që më jep mundësinë të ndihmoj këtë familje, që të arrij në këtë dite për të ndihmuar këtë familje të varfër”, rrëfen ai.

Shpirtmadhësia që ka biznesmeni i ndërtimit, duket se nuk është rastësi. Vetë ka mbetur jetim në moshë të njomë, dhe nuk i harron rrugët e Greqisë kur ishte adoleshent, dhe shiste shami letre për të mbajtur frymën gjallë.

“Kam kaluar një situatë si ajo familja. Babi me vdiq herë, dhe kush isha 8 vjeç erdhëm në Tiranë. Kemi qenë shumë të varfër. I kemi kaluar vetë, si këtë situatë, kur isha në Greqi e vuaja për bukën e gojës. Isha 16 vjeç. Bëja punë të ndryshe bërë me punë e herë pa punë thjesht mbijetesë”, thotë Pajtoni.
Një ditë pas transmetimit të emisionit, ndërtuesi ia dorëzoi paratë e shtëpisë Arbër Hajdarit, i cili pa humbur kohë, brenda ditës udhëtoi për në Drenovë të Korçës ku ndodhet banesa e re. Asnjë ditë nuk duhet humbur.

“Ky është premtim që zoti Pajtoni e mbajti. Ai është kontribuues i rregullt, por nuk do të bëhet publik. Morëm pagesën për familjen Metaj. Falënderoj Landin për mbështetjen. Sa më shumë njerëz si ti, aq më e mirë Shqipëria. Sot nisemi në Drenovë. Shtëpia është në emër të kryefamiljarit”, tha Arbër Hajdari.

famijla drenove dishnice
Arbëri shprehet se kontributet monetare të shqiptarëve do të shfrytëzohen për të ndihmuar gruan e paralizuar Majlindën të operohet.

Pak orë pas emisionit, juglindjen e mbuloi bora e parë. Temperaturat në Korçë shkuan gjatë ditës deri në minus 2 gradë celsius, ndërsa natën edhe më shumë. Stafi i “Njerëz në Fokus” dhe “Fundjavë ndryshe”, zhvendosën që herët në mëngjes Manuelën e vogël së bashku me prindërit nga kutia e llamarinës, tek një hotel komod dhe i ngrohtë në qendër të Korçës derisa pronari i banesës në Drenovë të paraqitet për të nënshkruar kontratën e banesës.

 

Pronaret dashamires të Hotel “Alisa” të sensibilizuar nga kronika e transmetuar në “News 24”, jo vetëm kanë siguruar akomodimin falas por i ka ofruar familjes edhe ushqim.

Ditët kur 36-vjecari Avni Memetaj i kërkonte nder fqinjit për ta vizituar çdo mëngjes për t’u siguruar se ai dhe familja e tij akoma nuk kishin ngrire nga nata e acartë, morën fund njëherë e përgjithmonë, e kjo fale bujarisë dhe shpirtit të madh të pak njerëzve…

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb