Policia ka vënë në pranga dy vëllezër të shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur më herët në zonën e Ulzës.

Të arrestuarit janë Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Dobrës. Ata u kapën nga forcat e policisë në Tiranë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, pranë kompleksit “Delijorgji”.

Sipas të dhënave nga hetimet, Renis Dobra është mbytur me litar dhe trupi i tij është hedhur më pas në liqenin e Shkopetit nga katër persona të dyshuar si autorë të krimit.

Më herët për ngjarjen, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të lidhur me ngjarjen, Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakrrin.

Njoftimi i policisë:

Gjatë 24 orëve të fundit, finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.  Operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.

Kapen në Tiranë dhe vihen në pranga 2 vëllezërit e njërit prej autorëve të vrasjes nëpërmjet strangulimit, të shtetasit R. D., më datë 08.07.2025, në Burrel.

Të arrestuarit, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D.

Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh siguruan informacion për vendndodhjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim.

Bazuar në këtë informacion, u organizua dhe u zhvillua në bashkëpunim me shërbime të Forcës Speciale RENEA, operacioni i koduar “Operacionalja 68”, për kapjen e tyre. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në një apartament në Tiranë dhe ndaluan shtetasit:

-K. B., 29 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, vëllezër.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.

2 shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb