Ashtu siç paralajmëroi, Izraeli ka rinisur një sulm më të gjerë në Iran. Mediat ndërkombëtare raportojnë se ka goditur selinë e televizionit shtetëror iranian, ndërsa ishte në transmetim direkt.

Pamjet nga momenti i shpërthimit janë publikuar në rrjetet sociale dhe tregojnë një gazetare që largohet ndërsa i gjithë vendi shpërthen.

Televizioni dhe radioja shtetërore iraniane “janë në prag të zhdukjes”, tha ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, raporton BBC.

 

“Megafoni i propagandës dhe nxitjes iraniane është në prag të zhdukjes. Evakuimi i banorëve përreth ka filluar”, shtoi ai, duke iu referuar urdhrit për evakuim të lëshuar më herët për pjesë të Distriktit 3 të Teheranit.

Selia qendrore e transmetuesit shtetëror iranian, IRIB, ndodhet brenda zonës së evakuimit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb