Stuhitë e fuqishme dhe erërat e dhunshme po godasin Jamaikën, ndërsa banorët përgatiten këtë të martë për uraganin “Melissa”, i cili pritet të jetë më i rëndi në historinë e vendit.
Sipas autoriteteve, shpejtësia e erërave ka arritur deri në 280 kilometra në orë, duke e klasifikuar stuhinë në Kategorinë 5, nivelin më të lartë të shkallës së uraganeve.
Kryeministri Andrew Holness paralajmëroi për rrezik të madh dëmtimesh, sidomos në pjesën perëndimore të vendit.
“Nuk mendoj se ndonjë infrastrukturë në këtë zonë mund të përballojë një uragan të Kategorisë 5. Mund të ketë dëme të mëdha,” tha ai për mediat, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në gatishmëri dhe të evakuojnë zonat më të rrezikuara për të mbrojtur familjet e tyre. Megjithatë, shumë banorë refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre, pavarësisht paralajmërimeve.
“Thjesht nuk dua të iki,” tha për AFP Jennifer Ramdial, ndërsa një tjetër banor, Roy Brown, shtoi:
“Edhe sikur të ishte i Kategorisë 6, nuk do të largohesha.”
Shumë prej tyre e justifikojnë këtë qëndrim me përvojat e këqija që kanë pasur më parë në strehimet emergjente të ngritura nga autoritetet. Ndërkohë, uragani Melissa ka shkaktuar tashmë katër viktima në Haiti dhe Republikën Domenikane. Autoritetet xhamajkane kanë mbyllur portet dhe aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit, ndërsa stuhia po afrohet me shpejtësi drejt ishullit.
Melissa kërcënon gjithashtu brigjet lindore të Kubës, jugun e Bahameve dhe ishujt Turks & Caicos.
Uragani më i fuqishëm që ka goditur ndonjëherë Jamaikën ishte Gilbert, në shtator të vitit 1988, i cili mori jetën e 40 personave dhe shkaktoi dëme të mëdha në të gjithë vendin. Që atëherë, ishulli është përballur me disa stuhi të tjera, më e fundit uragani Beryl në korrik 2024.
