Policia e Tiranës njofton se shërbimet e komisariatit të policisë Nr. 2, në bashkëpunim me policinë bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, kanë ndërhyrë për lirimin e një hapësire të përbashkët pallati në rrugën “Medar Shtylla” që ishte kthyer në një vendparkim automjetesh pa leje.
Përmes një operacioni, u zbulua se hapësira, e cila duhet të shërbente për banorët, ishte zënë dhe përdorur për parkimin e automjeteve, duke shkelur ligjin.
Pas veprimeve hetimore, u procedua penalisht shtetasi A.D., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Po ashtu, automjetet që ishin parkuar në mënyrë të kundërligjshme u larguan nga vendi i ngjarjes me ndihmën e karrotrecave.
Policia e Tiranës ka theksuar se do të vijojë të jetë e kujdesshme ndaj çdo shkeljeje të mundshme të ligjit, sidomos kur bëhet fjalë për hapësirat publike, të cilat nuk do të tolerohen të shfrytëzohen pa leje.
Policia ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të mundshme duke përdorur numrin e emergjencave 112.
(BalkanWeb)
