Bayern Munchen ka fituar titullin e 33-të të Bundesligës në historinë e klubit. Java e fundit e kampionatit vendosi fatin e sezonit, teksa shpresat për bavarezët ishin të pakta, pasi duhej të shpresonin që rivalët e përjetshëm të Dortmund të mos triumfonin.

Bayern mundi 1-2 Koln në transfertë (Coman, Musiala / Ljubicic) dhe festa ishte e ligjshme pas barazimit 2-2 të Dortmund ndaj Mainz.

Skuadra e drejtuar nga Tomas Tuchel përmbyll në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin, me 71 pikë dhe trofeun e Bundesligës në xhep. Skuadra ka shënuar 92 gola në këtë kampionat dhe ka pësuar 38.

Lot dhe dëshpërim i madh te Dortmund, që për t’u rikthyer te titulli do duhet të presë sërish. Sa i takon sfidës së barazuar 2-2 ndaj Mainz, takimi ishte mjaft emocionues.

Mysafirët gjetën golin në minutën e 15-të me Olsen. Skuadra vendase mund të vendoste ekuilibrat pas 4 minutash me Haller, por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Të besuarit e Svensson dyfishuan shifrat me Onisi2o në minutën e 24-të, duke i dhënë një goditje të rëndë kundërshtarit.

Goli i shpresës për Reus me shokë erdhi në minutën e 70-të nga Guerreiro, por tepër vonë, pasi nuk mjaftoi as goli i Sule në fund. Pavarësisht se stadiumi “Signal Iduna Park” ishte i tejmbushur me tifozë, Dortmund zhgënjeu totalisht (vendi i dytë, 71 pikë) duke humbur mundësinë për të fituar titullin në javën e fundit.

 

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: