Rikonstruksioni i rrugës Mamëz–Surroj në qarkun e Kukësit, një ndër investimet më të kërkuara nga banorët e zonës, vijon të mbetet pezull.
Edhe pse është premtuar disa herë nga qeveria, fondet e parashikuara për ndërtimin e saj janë devijuar.
Vendimi ka shkaktuar debate mes këshilltarëve bashkiakë dhe përfaqësuesve të Surrojit të cilët kërkuan shpjegime mbi ndryshimin e destinacionit të fondit ndërkohë që rruga kalohej vetëm me automjete të larta.
Për shkak të vlerës së madhe të investimit, bashkia i është drejtuar me një kërkesë për financim Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në vlerën e rreth 450 milionë lekëve.
Sipas kryetarit të Këshillit Bashkiak, Albert Muja, Këshilli Bashkiak ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme që nga momenti kur rruga Mamëz–Surroj është përfshirë si prioritet kryesor në planin e investimeve.
Banorët kërkojnë që të merren masa urgjente, pasi mungesa e ndërhyrjes ka vështirësuar qarkullimin dhe jetesën e përditshme të tyre.
Banorët shpresojnë që kërkesa e paraqitur nga Bashkia në Fondin Shqiptar të Zhvillimit të miratohet sa më shpejt, për t’i dhënë fund vonesave dhe premtimeve të përsëritura ndër vite.
