Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj ka siguruar për BalkanWeb pamje nga mbështetësit e Veliajt në Durrës, të cilët vendimin e GJK e kanë festuar të ekzaltuar me fishekzjarre jashtë ambienteve të burgut të Durrësit.

Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të GJK, sqarohet se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.

Po kështu, Gjykata vlerësoi se Këshilli i Ministrave nuk e ka justifikuar shkarkimin nga detyra të Veliajt me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Pra GJK vendosi me shumicë votash se Veliajt i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i kryeqytetit.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb