Një gazetar i televizionit publik australian ABC ndërpreu raportimin për përmbytjet në Queensland dhe u hodh në ujë për të shpëtuar një shofer të bllokuar në makinën që po fundosej. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së enjtes, më 22 tetor, në Morayfield, në veri të Brisbane. Gazetari Will Murray dhe kameramania Liz Pickering po dokumentonin pasojat e reshjeve të dendura, kur panë një fuoristradë që tentoi të kalonte në një rrugë të përmbytur.

Brenda pak sekondash, automjeti ndaloi dhe nisi të merrej nga rrjedha drejt një përroi. Shoferi mbeti brenda, ndërsa niveli i ujit vazhdonte të ngrihej.

Murray njoftoi shërbimet e emergjencës, por kur humbi nga shikimi drejtuesin e mjetit dhe pa se makina po fundosej, vendosi të ndërhynte. Ai ia la telefonin koleges dhe hyri në ujë, ndërsa një burrë tjetër iu bashkua për ta ndihmuar. Të dy notuan drejt automjetit dhe tentuan të hapnin njërën prej dyerve, por pa sukses. Gazetari u ngjit më pas në pjesën e pasme të makinës dhe, pas përpjekjeve, arriti të hapte derën e pasme në anën e pasagjerit.

Shoferi u afrua drejt hapjes dhe, me ndihmën e dy burrave, doli nga automjeti. Ata e çuan më pas në një vend të sigurt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb