Barazim spektakolar në Premier League 4-4 mes Chelseat dhe Manchester Cityt në Stamford Bridge (London). Në minutën e 25-të, Haaland shndërroi në gol një penallti, duke çuar peshë tifozët e Cityt që kishin shkuar për të parë nga afër ndeshjen.

Blutë e Londrës, pas disa insistimesh, përmbysën llogaritë me Silva dhe Sterling. Spektakli i pjesës së parë s’kishte përfunduar ende, pasi mbrojtësi zviceran Akanji vendosi ekuilibrat.

Pjesa e dytë filloi me gol për “Qytetarët”. I zakonshmi Haaland bëri atë që di të bëjë më mirë, dërgoi topin në rrjetë. Djemtë e Pochettinos nuk u dorëzuan dhe reaguan përsëri, këtë herë me Jackson (67’). Goli i Rodrit në minutën e 86-të u duk sikur i dha fitoren skuadrës së Guardiolës por nuk ndodhi kështu.

Chelsea ia doli të merrte një pikë në këtë takim, pasi Palmer u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit, penallti kjo e fituar në shtesë nga sulmuesi shqiptar, Armando Broja (U aktivizua në minutën e 89-të)! Me këtë rezultat, City kryeson kampionatin, ndërsa Chelsea renditet në mesin e tabelës.

 

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb