Një aksident rrugor ka ndodhur këtë mesditë në aksion nacional Korçë-Pogradec, në afërsi të Maliqit.
Gazetarja Lorena Kodra sjell në redaksinë e “BalkanWeb” pamje nga vendngjarja, ku shihet se dy makina janë përplasur kokë më kokë dhe janë shkatërruar në pjesën e përparme.
Nga përplasja e fortë raportohet për pesë persona të plagosur, dy drejtuesit e mjeteve dhe tre pasagjerë, identiteti dhe gjendja shëndetësore e të cilëve nuk dihet ende. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se një nga personat kishte mbetur i bllokuar në makinë dhe është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të nxjerrë trupin e tij nga mjeti, i cili fatmirësisht, është nxjerrë i gjallë.
Informacion paraprak
Më datë 30.12.2019, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në hyrje të Maliqit, janë përplasur mjeti tip “Benz” me drejtuese shtetasen E.B., dhe mjeti tip “Golf” me drejtues shtetasin Gj.M., rreth 26 vjeç.
Për pasojë janë dëmtuar 2 drejtuesit e mjeteve dhe 3 pasagjere, konkretisht shtetaset E.T., D.T., të dyja pasagjere në mjetin tip “Golf” dhe shtetasja L.Sh, pasagjere në mjetin tip “Benz”, të cilët ndodhen në Spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
(BalkanWeb)
