Përfundon pas 6 orësh protesta e 35-të masive e qytetarëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Si çdo ditë, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00 dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Para godinës qeveritare, ata përsëritën mesazhet kundër Ramës, ndërsa i bënë thirrje të largohet dhe t’i hapë rrugë qeverisë teknike.

Marshimi i darkës kishte si destinacion sërish Komisariatin nr.3, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve. Nuk munguan as momentet e tensioneve kur disa protestues thyen xhamat e komisariatit. Kjo bëri që policia të ndërhynte me makinën e ujit, duke shpërndarë turmën.

Mbyllja e protestës së 35-të radhazi u bë në sheshin “Skënderbej”.

Ndërkohë, nesër organizatorët njoftuan protestën e radhës në orën 9:00 të mëngjesit para Gjykatës së Tiranës, ku do të zhvillohet seanca e masës së sigurisë për 21 të ndaluarit. Ndërsa në 19:00 qytetarët do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb