Protesta e parë e opozitës që shënoi dhe nisjen e revoltave të paralajmëruara nga opozita kundër qeverisë, zgjati pothuajse 2 orë.

Ajo nisi rreth orës 18:00 dhe përfundoi rreth orës 20:30.

Në protest morën fjalë deputetë të PD, Belind Këlliçi, Elda Hoti dhe Gazment Bardhi ndërsa tubimi u mbyll me fjalën e kreut të PD, Sali Berisha.

Në fund të fjalimit të Berishës, protestuesit hodhën bomba molotov në drejtim të derë së Kryeministrisë duke ndezur ambientet e jashtme të godinës. Përplasje të protestuesve pati edhe me policinë. Nga shpërthimi i molotovit raportohet për 2 efektivë të lënduar, por edhe një simpatizant i opozitës u përfshi nga flakët e lëndës ndezëse.

Berisha, i shoqëruar nga deputetë të PD, bashkë me protestuesit vijoi rrugën në këmbë përgjatë Bulevardit.

Protestuesit përshkruan rrugën drejt ministrisë së Energjisë, Kuvendit dhe më pas u larguan.

Kreu i PD, Sali Berisha njoftoi mbylljen e protestës teksa ndodhej në oborrin e selisë së PD duke paralajmëruar se protesta e ardhshme do të zhvillohet te Kryeministria, Ministria e Energjisë dhe Kuvendi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb