Grupi parlamentar demokrat, me kërkesë të deputetit Tritan Shehu ka mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdari i cili u vra më 12 shtator të vitit 1998, pranë selisë së Partisë Demokratike si dhe për aleatin e afërt me Donald Trump, Charlie Kirk i cili humbi jetën 2 ditë më parë, nga një atentat gjatë një takimi publik në Utah.
Deputeti Tritan Shehu tha se “Azem Hajdari mbahet mend si një prej figurave më të zëshme të tranzicionit politik dhe mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e re të vendit”.
Ndërsa Charlie Kirk, tha Shehu u vra sepse mbronte vlerat. “E vranë për idetë, fjalët e tij. Do kujtohet përherë si një simbol i mendimit, argumentit e fjalës së lirë, për të cilat e vranë”.
Këtij homazhi nuk iu bashkuan deputetët socialistë.
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot seancën e tij të parë plenare, duke shënuar nisjen zyrtare të legjislaturës së re.
Seanca u hap me paraqitjen e raportit nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili kishte për detyrë të kontrollonte vlefshmërinë ligjore të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur.
Pas miratimit të këtij raporti, deputetët e rinj bënë betimin solemn, duke marrë zyrtarisht funksionin e tyre si përfaqësues në Parlament. Pika më e rëndësishme e ditës ishte procesi për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Partia Socialiste ka propozuar Niko Peleshin si kandidat për të marrë drejtimin e institucionit ligjvënës.
(BalkanWeb)
