Katër drejtues të lartë të kompanisë ruse Kizlyar Electromechanical Plant (KEMZ), që prodhon pajisje ushtarake, humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën kur helikopteri Ka-226 në të cilin ndodheshin u rrëzua të premten e kaluar në Dagestan, në jug të Rusisë.
Helikopteri po kryente itinerarin nga Kizlyar drejt Izberbash dhe u rrëzua pranë një fshati në bregdetin e Detit Kaspik, duke u përplasur me një shtëpi bosh që u shkatërrua plotësisht nga zjarri.
Video në rrjete sociale tregojnë pilotin duke u përpjekur të ulë helikopterin në plazh, me bishtin që prek tokën dhe shkëputet. Edhe pse piloti u mundua të rimerrte kontrollin dhe të ngrihej sërish, helikopteri filloi të rrotullohej pa kontroll dhe u rrëzua mbi shtëpinë pranë fshatit Achi-Su.
Të plagosurit u dërguan në spital me djegie, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Sipas Nexta, të dhënat paraprake ia atribuojnë aksidentin një defekti teknik, ndërsa autoritetet ruse kanë nisur hetim penal për shkelje të rregullave të sigurisë ajrore.
Kompania Kizlyar Electromechanical Plant (KEMZ) ka selinë në Dagestan dhe specializohet në prodhimin e pajisjeve për avionë dhe materiale ushtarake.
Ajo ndodhet nën sanksione amerikane, pasi konsiderohet nyje kyçe e industrisë mbrojtëse ruse.
