Emisioni investigativ Vetting, News24

E drejta e autorit, Albautor një “tutor” me djersën e artistëve
Në tetor 2023, në stadiumin “Air Albania” në prag të zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis Shqipërisë dhe Çekisë, atmosfera do të elektrizohej nga kënga “Mora fjalë” me kompozitor dhe autor Naim Gjoshin dhe këngëtare Shkurte Fejza. Kjo është një këngë jashtëzakonisht e dashur për publikun shqiptar, që lidhet me historinë e shqiptarëve të Kosovës në luftën për liri. Por nëse kënga i bën jehonë heroit legjendar Adem Jashari, agjencia për të drejtën e autorit “Albautor” i bën padrejtësi njeriut që ka krijuar këtë kryevepër, kompozitorit dhe autorit Naim Gjoshi.

Artisti nga Elbasani merr shumë pak ose aspak të ardhura si autor dhe kompozitor i kësaj kënge nëpërmjet agjencisë “Albautor”, që mbledh të ardhurat për të drejtën e autorit. Sipas Naim Gjoshit, kolegët i thonë se vetëm me këtë këngë duhet të kishte siguruar shumë të ardhura për shkak të kërkesës dhe popullaritetit që gëzon kjo vepër.

“Më shkruajti një herë një miku im, i dashur Osman Mula, që thoshte që nëse do të funksiononte ligji tek ne, ti Naim vetëm me këngën “Mora fjalë”, do të kishe marrë aq shumë, sa do të bëje vilën më të bukur te Kodra e Diellit në Tiranë”, thotë për “Vetting” kompozitori Gjoshi.

Por realiteti është komplet ndryshe, pasi artistëve si ai, në fund të vitit u shpërndahen rreth 100 mijë lekë të vjetra nga agjencia “Albautor”, e cila është një shifër e papërfillshme për një këngë që ka kaq shumë popullaritet.

“Kur kënga ime që u këndua në stadium, “Mora fjalë” që bëri shumë jehonë, atëherë e morën vesh njerëzit, që këngën e kisha shkruar unë me tekst e muzikë. Më pas kam patur disa telefonata nga avokatë në Tiranë, por edhe në Kosovë. Nuk desha të merrem me këtë punë sepse ku është e drejta e autorit, çfarë po marr unë nga ajo këngë? Jo vetëm nga ajo por edhe nga shumë këngë të tjera. Të gjitha këto unë i kam regjistuar te “Albautori”, por se çfarë bën unë nuk e di”, shprehet i indinjuar Gjoshi.

Në fakt, drama që zhvillohet me të drejtën e autorit nuk prek vetëm këtë rast, por një grup artistësh shqiptarë si kompozitorë, kantautorë e këngëtarë, të cilët kanë denoncuar në emisionin “Vetting” agjencinë Albautor.

Sipas artistëve, ata nuk marrin të ardhura në bazë të meritave nga “Albautor” për këngët dhe tekstet e shumta që kanë prodhuar, ndërkohë që agjencia ka të ardhura dhe nuk bën transparencë për mënyrën se si i shpërndan këto të ardhura.

Sipas kompozitorit Gjergj Leka, krijimtaria e tyre si artist është e pazëvendësueshme dhe nuk ka marrë vlerësimin e duhur nga “Albautor”.

“Unë jam mësuar të flas drejtpërdrejtë dhe të vazhdoj të flas dhe jam shumë i fyer që kam arritur të bëj këtë diskurs për disa nga kolegët e mi që punojnë atje. Më pas të merret prokuroria, institucionet që e kanë për detyrë të zbulojnë shkelje, por për ne si autorë ka ardhur koha t’i themi të gjitha çfarë na mundojnë”, shprehet për “Vetting” kompozitori Leka.

Ajo që duket si një problem i vogël, në të vërtetë është një çështje aferash financiare, ku viktima janë artistët që jetën dhe pasionin e tyre ia kanë kushtuar krijimtarisë artistike, e cila i ka shërbyer interesit publik.

Sipas avokatit Evien Dako, pakënaqësitë që kanë autorët në këtë fushë, lidhen me mungesën e transparencës apo të informacionit të marrë nga agjencitë, në të cilët ata përfshihen.

Shumica e artistëve, tekstshkruesve, kompozitorëve, interpretuesve apo cdo kategorie artisti që prodhon vepra unike ka të drejtën e marrjes së të ardhurave financiare nga Agjencitë e Menaxhimit të të Drejtave të Autorëve sepse nëpërmjet transmetimit publik nëpër televizione, radio apo vende publike, këto agjenci mbledhin të ardhura që duhet tua shpërndajë artistëve nëpërmjet kontratave që kanë lidhur me subjektet që i përdorin.

Në Shqipëri janë katër organizata që merren me administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me to. Këto organizata janë hallka që lidhin autorët me përdoruesit e veprave artistike, si radio, televizione, platforma muzikore apo biznese.

Njëra nga organizatat është AKDIE, Agjencia e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Artistëve Interpretues/Ekzekutues, e cila përfaqëson interpretuesit dhe ekzekutuesit si këngëtarët, aktorët, muzikantët dhe çdo artist që performon një vepër.

Në fushën e filmit dhe produksioneve televizive vepron FMAA, Agjencia për Mbrojtjen e Veprave Audiovizuale. Kjo agjenci përfaqëson regjisorë, skenaristë dhe producentë filmash, duke u siguruar që veprat e tyre të mos përdoren pa leje.

Ndërkohë, FABER është organizata që mbron të drejtat e producentëve të fonogramëve, të atyre që zotërojnë regjistrimet zanore. Çdo herë që një këngë transmetohet në publik, FABER kujdeset që të regjistrohet përdorimi dhe të shpërndahen të ardhurat për producentin që ka në pronësi regjistrimin.

E fundit, por më e rëndësishmja për nga roli dhe kapitali është Albautor, Agjencia Shqiptare e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Lidhura, organizata më e njohur dhe më e madhe që përfaqëson autorët, kompozitorët dhe botuesit.

Kompozitori Leka shprehet se artistët duhet t’i kërkojnë Albautorit të luajë funksionin që ka.

“U bënë vite që ne flasim për të drejtat e autorit, flas për ne autorët vetë dhe mendoj që shumë faje janë tonat sepse kurrë s’kemi qenë të lidhur me njëri-tjetrin për të kërkuar atë që ne meritojmë por mbi të gjitha, për të kërkuar llogari atyre që ne paguhemi. Në këtë rast, “Albautori”, për t’u marrë me të drejtat tona, edhe pse e dimë shumë mirë që ka vite që nuk ka asnjë lloj monitorimi”, shprehet kompozitori Leka.

Në fakt, “Albautor” është një organizatë e rrethuar nga hijet e skandalit sepse akuzohet nga artistët se nuk shpërndan të ardhurat për veprat e tyre.

“Albautor” mbledh tarifat për përdorimin e veprave muzikore, letrare apo audiovizuale dhe më pas i shpërndan ato tek krijuesit. Kjo organizatë është përgjegjëse për të mbrojtur repertorin shqiptar, por edhe atë të huaj, duke siguruar licenca për çdo subjekt që dëshiron të përdorë muzikë ose tekst të mbrojtur me të drejtë autori. Presidenti i Albautor është Elton Deda, Drejtor i Përgjithshëm Erion Muka dhe Drejtor Ekzekutiv Oltion Spiro.

“Albautor” ka një rol praktik shumë të rëndësishëm sepse mbledh tarifat që televizione, radio, lokale, platformat online apo organizatorë koncertesh duhet të paguajnë kur përdorin muzikë apo vepra të mbrojtura nga e drejta e autorit. Më pas, këto të ardhura shpërndahen te autorët përkatës, tekstshkruesit, kompozitorët apo producentët.

Në thelb, Albautor duhet të kujdeset që krijimtaria e autorëve të vlerësohet dhe të ardhurat e mbledhura nga ajo vetë tu shpërndahen. Por nuk është kjo ajo që po ndodh pasi artistët prej kohësh kanë ngritur shqetësimin që nuk marrin të ardhura nga organizata për veprat e tyre më të transmetuara.

Sipas kompozitorit dhe Mjeshtrit të Madh, Osman Mula, vetëm në Shqipëri nuk njihet e drejta e autorit, shpërdorohet dhe mund të merret çohet kudo, e ti vihet emri i një personi që nuk është autori.

“Ne te shtëpia kemi dy sahata, kemi sahatin e ujit dhe sahati i elektrikut. Po kështu duhet moniturar dhe e drejta e autorit. Nuk guxon. Dhe nqs ti nuk paguan dritat, futesh në burg për 20 mijë lekë. Si është e munduar që e gjithë krijimtaria jote 20-30 vjeçare,a kupton, të mos paguhet, të nëpërkëmbet dhe të zhvatin shokët e tu?” shprehet i revoltuar Mjeshtri i Madh Osman Mula.

Një tjetër kompozitor dhe Mjeshtër i Madh, Vladimir Kotani pohon se nuk ndjehet i vlerësuar nga mënyra se si puna e tij vlerësohet rreth 100 euro në vit.

“Jam i ofenduar dhe i indinjuar dhe nuk e ndjej dhe as që e shikoj të mbrojtur të drejtat e mia krijuese dhe as që vlerësohet ekonomikisht transmetimit i krijimeve të mia, por tjetërsohet.

Bile nga disa institucione artistike, jo vetëm që nuk vihet në dijeni dhe të merret miratimi nga krijuesi, por mohohet edhe autorësia duke mos përmendur fare emrin e krijuesit kur e transmetojnë krijimtarinë,”, tha për “Vetting” kompozitori Kotani.

Madje dirigjenti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Edmond Doko shprehet se e drejta e autorit nuk ka asnjë lloj transparence.

“Unë jam anëtar si dirigjent i një shoqate interpretësh dhe është gati qesharake kur në fund të vitit, diku në numrin tim të llogarisë, në konton time bankare diku rreth 10 mijë lekë të reja, ndërkohë që unë s’e di sa opera e sa koncerte në këto televizione kam realizuar. Nuk i kam ndjekur, nuk kam qenë i kujdesshëm dhe unë s’e kam mbrojtur të drejtën time”, deklaron për “Vetting” Edmond Doko.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb