Mes kaosit dhe tensionit që përfshiu mbrëmjen e kaluar protestuesit e opozitës dhe policinë, u dëmtua edhe një punonjës i News24, operatori Aldo Kashri.
Në kushtet e vështira të punës në terren, operatori i News24, i cili ndodhej në krye të detyrës duke filmuar i hipur mbi një automjet për të sjellë pamje drejtpërdrejt nga zhvillimet e protestës para Kuvendit, në një moment është gjendur mes flakësh dhe ka zbritur menjëherë nga automjeti. Nga pamjet duket se xhupi i tij mori flakë, por kolegët ndërhynë menjëherë duke ia hequr veshjen, duke bërë që fatmirësisht të shmangej më e keqja.
Ngjarja e mbrëmjes së kaluar është një kujtesë e fortë për rrezikun me të cilin përballen çdo ditë gazetarët dhe operatorët në terren, në përpjekje për të sjellë informacion të shpejtë dhe të paanshëm për publikun. Përkushtimi dhe profesionalizmi i Aldo Kashrit, edhe në kushte të jashtëzakonshme rreziku, dëshmojnë rolin e pazëvendësueshëm të medias.
I urojmë Aldos rikuperim të plotë dhe sa më të shpejtë, ndërsa kjo ngjarje le të shërbejë si thirrje për më shumë siguri dhe respekt ndaj punës së gazetarëve në çdo situatë.
