Rrugët në Shqipëri kanë dështuar dita-ditës, ndërsa mirëmbajtja e tyre shpesh reduktohet në mbushje të shpejta gropash që nuk zgjasin, ose në arnime që nuk e lehtësojnë lëvizjen.
Mjafton një krahasim me një nga rrugët e Malit të Zi, atë të Kolashinit që përshkohet shpesh edhe nga qytetarë shqiptarë.
Ajo është e asfaltuar mirë dhe e mirëmbajtur. Shenjat e sinjalistikës janë të dukshme dhe funksionale, dhe kalimi në të është një eksperiencë qetësie.
Kontrasti është i qartë. Tek ne, rruga shpesh duket si një betejë me kohën, një provë durimi dhe guximi; ndërsa në vendin fqinj është një shembull investimi, mirëmenaxhimi dhe organizimi.
Ky krahasim nuk lidhet vetëm me estetikën e asfaltit, por me mënyrën se si qeveritë menaxhojnë infrastrukturën, paratë publike dhe respektojnë qytetarët.
Një rrugë e mirëmbajtur është më shumë se një shtrat betoni; është një shenjë e qartë e kujdesit dhe efikasitetit të shtetit.
Fatkeqësisht, problemet tona nuk lidhen vetëm me neglizhencën, por edhe me abuzimet që ndodhin gjatë ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve.
Shumë projekte financohen me buxhete të mëdha, por materialet shpesh janë të dobëta, punimet nuk kryhen si duhet dhe paratë që duhet të shkojnë përqëndrueshmërinë e rrugëve përfundojnë diku tjetër. Kjo është arsyeja pse rrugët dëmtohen ose shemben shumë shpejt, duke i lënë qytetarët të pasigurt dhe të zhgënjyer.
