Deputeti i PD-së, Eno Bozdo me një reagim në rrjetet sociale ka akuzuar policinë se ka tejkaluar çdo kufi me arrestimin e një fëmijë 10-11 vjeç vetëm pse ishte në protestë.
Bozdo shkruan në një status në Facebook, se akoma më shqetësuese janë akuzat për dhunë ndaj të miturit, të cilat e bëjnë këtë rast edhe më të rëndë.
Reagimi i deputetit Eno Bozdo
Ndalimi i një fëmije 10-vjeçar përbën një shkelje të rëndë të çdo norme njerëzore dhe juridike. Në çdo shoqëri që pretendon drejtësi dhe shtet ligjor, një veprim i tillë është i papranueshëm. Akoma më shqetësuese janë akuzat për dhunë ndaj të miturit, të cilat e bëjnë këtë rast edhe më të rëndë.
Arrestimi i një fëmije vetëm për faktin se ndodhej në një protestë nuk ka asnjë bazë ligjore dhe tejkalon çdo kufi etik e moral. Ky nuk është zbatim i ligjit, por një keqpërdorim flagrant i autoritetit shtetëror.
Kjo nuk është rend publik.
Është dështim dhe degradim i institucioneve.
