BalkanWeb ka arritur të sigurojë pamjet e kamerave të sigurisë që kanë regjistruar të gjithë skenën e zjarrvënies së mjetit tip furgon, në pronësi të shtetasit Renato Torollari.

Policia më herët njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen nr.17 të Korçës.

Furgoni përdorej për transport udhëtarësh dhe i përket firmës “Morava 93”, ndërsa nga burime mësohet se zjarrvënia është e qëllimshme.

Ndërkohë, nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se pranë furgonit që ishte parkuar në afërsi të banesës së Torollarit, një person i veshur me të zeza është afruar duke i vendosur zjarrin.

Ai më pas shihet duke u larguar me një automjet ngjyrë gri.

Sa i përket pronarit të mjetit, ai nuk deklaron të jetë përfshirë në ndonjë konflikt apo problem, por pretendon se zjarrvënia e qëllimshme mund të ketë ndodhur për shkak të konkurrencës.

Ndërkaq, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon për të identifikuar personin që shfaqet në video.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: