Rikthimi i transmetimit të News24 është mirëpritur nga qytetarët, të cilët nuk e braktisën dhe kur televizionit më të madh informativ në vend iu hoq sinjali me dhunë, mëngjesin e 9 gushtit.
Megjithatë, përpjekja për ta mbyllur zërin e këtij televizioni nuk arriti t’i largojë qytetarët nga ekrani i tyre i dashur, madje interesi u rrit ndjeshëm.
Të pyetur për mikrofonin e News24, qytetarët thonë se e ndjekin News24 pasi ky televizion pasqyron realitetin.
Një qytetare thotë se ka ndjerë keqardhje kur u mbyll për disa ditë transmetimi, ndërsa një tjetër thotë se lajmin e fundit e ndjek gjithmonë përmes News24, qoftë në TV apo dhe telefon.
Besnikë të televizionit të parë më të madh informativ në vend janë dhe emigrantët, të cilët thonë për News24, se kur duan të ndjekin zhvillimet më të fundit nga Shqipëria telekomandën e cojnë tek News24.
“E vlerësojmë për realitetin, News24 është Tv i mirë, e ndjekim, edhe për lajmin e fundit. Dhe jashtë shtetit e cojmë aty, për të gjithë lajmet, i jep më mirë se të gjithë. Më erdhi keq për atë që i ndodhi. Shumë keq na erdhi për mbylljen e sinjalit”, thonë qytetarët.
Për News24, rikthimi në transmetim nuk është thjesht një vazhdim i punës së përditshme, por një dëshmi e fortë se media e lirë dhe e pavarur nuk mund të ndalet me urdhra apo presione.
Për publikun shqiptar, kjo përvojë e vështirë ka treguar se News24 mbetet një burim i pazëvendësueshëm i lajmit të vërtetë.
(BalkanWeb)
