Protesta e sotme pati tensione e përplasje para Kryeministrisë. Në revoltën e 94-të kundër qeverisë së Edi Ramës, pas përplasjes së protestuesve me gardhin policor të vendosur përpara godinës, Policia e Shtetit nisi edhe shoqërimet.
Deri më tani numri i personave të shoqëruar ka shkuar në 11. Ndërsa protestuesit, kanë mbërritur në komisariatin numër 3 dhe kërkojnë lirimin e të shoqëruarve.
Ndërsa disa protestues janë vendosur në komisariatin 1 , ku janë shoqëruar 6 protestues. Gjithashtu edhe në komisariatin numër 4 janë shoqërues disa protestues të tjerë.
Protestuesit sot bllokuan të dyja hyrjet e Kryeministrisë dhe kanë kërkuar që kryeministri Edi Rama të dalë përballë tyre.
“Dorëheqje!” dhe “Ju erdhi fundi!” janë ndër thirrjet e protestuesve, të cilët prej 94 ditësh vijojnë aksionin kundër qeverisë.
Përshkallëzimi i protestës vjen pas paralajmërimeve të bëra një ditë më parë për nisjen e mosbindjes civile gjatë muajit shtator.
Forca të shumta policie ndodhen në zonën përreth Kryeministrisë, ndërsa efektivët po përpiqen të mbajnë nën kontroll situatën dhe të garantojnë perimetrin e sigurisë së godinës.
