Adolfo Sormani ishte një nga “pengjet” më të mëdha të presidentit Demi, mënyra se si ai u largua vite më parë la shteg për një rikthim të mundshëm, por jo gjithçka ka shkuar ashtu si numri 1 i klubit të kuq shpresonte. Pas largimit të Skënder Gegës dhe pas një periudhe trazit me Franko Lerdën, rikthimi i Sormanit shihej si një bekim në shtëpinë e kuqe. Atëherë kur të gjithë prisnin një rikthim të Partizanit në garë për objektiva të rëndësishëm kryeqytetasit vijojnë rënien e lirë. Në katër ndeshjet e fundit, kampionët në fuqi kanë pësuar katër humbje radhazi, duke e parë vetën në vendin e 7-të në kuotë ne 38-të pikëve, vetëm 2 pikë larg zonës “play out”.

Në stadiumin “Selman Stërmasi”, Ilir Daja i dha një leksion të pastër duke i mposhtur pikërisht në momentin më të mirë, dy gola brenda 2 minutave në fundin e pjesës së parë hodhën në tapet të kuqtë. Deri në ato momente, Partizani po zhvillonte një futboll të bukur por pa mundur të konkretizojnë, goli i Ferhat në fund ishte thjeshtë një iluzion i bukur, një problem që vazhdon ti shoqëroj që nga fillimi i sezonit. Në katër ndeshjet e fundit kanë shënuar vetëm 2 gola dhe kanë pësuar 9 gola. Këto shifra dhe kjo ecuri vendosin jo pak në siklet stafin drejtues dhe mbi të gjitha teknikun italian, i cili pavarësisht se ka një kontratë afatgjatë me Partizanin sheh që stoli i tij po fillon të lëkundet ndjeshëm. Mos prezenca në Europë mund të ishte përcaktues për fatin e tij por mbetet për tu parë dhe sa do të mund të durojnë drejtuesit e klubit, këtë të diel presin Kukësin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: