Skandalet me prishjen e rrugëve vetëm pak kohë pas përurimit të tyre po thellohen dita-ditës, ku rasti më i fundit është shënuar në aksin Vllahinë–Poçem. Siç shihet edhe përmes këtyre pamjeve, aksi Vllahinë-Poçem që lidh Fierin e Mallakastrën me Lumin e Vlorës ka pësuar shembje dhe rrëshqitje të konsiderueshme në të gjithë gjatësinë e tij, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Aksi Vllahinë-Poçem u përurua në korrik të vitit 2024, duke u konsideruar nga qeveria shqiptare një investim domethënës, që do të ndihmonte industrinë e naftës, por edhe duke i hapur një front të ri zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit, në një zonë ku gjenden edhe tre parqet e rëndësishme arkeologjike Bylis, Amantia dhe Apollonia.
Aksi Vllahinë-Poçem është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku shembjet në të ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi cilësinë e punimeve dhe mirëmbajtjen pas përurimit.
