Nga Rovena Cerka
Gledis Trashaj paralajmëron kallezim në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut për vetëvrasjen e babait të tij Pal i cili konsumoi fotoksinë para ambienteve të SPAK, ku kërkonte takim me prokuroret speciale. “Situata do të shkojë në një shkallë më lart sepse humbja e jetës se një njeriu nuk është një situatë normale”, shprehet Gledis Trashaj. Sipas të birit, Pali e ndërmori këtë akt ekstrem në kushtet e humbjes së shpresës apo të injorimit që mund të ketë përjetuar nga prokurorët e SPAK, edhe pse këta të fundit thanë se i kishin bërë me dije që çështja e tij po trajtohej nga një gjykatë tjetër.
“Ishte i shëndetshëm, njeri normal që vajti me këmbët e veta tek një institucion që kërkonte drejtësi. Ndoshta ata mund ta kenë keqkuptuar nuk e kanë marrë seriozisht, se këtu që të merresh seriozisht duhet të jesh kriminel, të marrësh armë, të dalësh në rrugë të godasësh njerëz. Ka patur edhe ndërhyrje, më vonë mund të dalin edhe emra të njerëzve që dalin nëpër media dhe bëjnë si interesant. Nuk dua të cilësoj SPAK-un, sepse ai kishte besim të jashtëzakonshëm, ka qenë keqkuptim. Shpresoj që edhe SPAK-u ta sqarojë në mënyrën e duhur se si duhet cilësuar, por atij i kishte humbur shpresa për të gjetur drejtësi“, thotë ai.
Pal Trashaj, 63 vjeç, endej në dyert e gjykatave prej 10 vitesh duke u përplasur me banka dhe zyra përmbarimore ndërsa familjarët thonë se do të publikojnë dokumentacionin në ditët në vijim.
“Ka marrë kredi në 2006, 2010, na ka mbajtur larg procedurave, nëse do dinim ekzakt se si do ishte situata do të dinim si të reagonim. Kredia ka qenë, kredia, fitonte në shkallë të parë, humbiste në apel. Gjithmonë fitonte banka. 5 vite, 10 vite, 14 vite një njeri me çantë në dorë. Duhet të vetëflijohet një njeri me këtë lloj mënyre ekstreme që të zgjidhen problemet këtu. Ai ka besuar sinqerisht tek SPAK-u. Thonte do e zgjidh këtë situatë. Situata do të shkojë në një shkallë më lart sepse humbja e jetës së një njeriu nuk është një situatë normale. Me një vendim gjykate në vitin 2014 deri në 2016 mua më është bllokuar prona, makina, gjithçka që dispononim, më është bllokuar edhe minimumi jetik. Isha de juro në punë, de facto kompania përmbarimore...”, tregon më tej Gledis Trashaj.
Ndërkaq, i biri shpreh edhe pakënaqësinë për bluzat e bardha. Sipas Gledis Trashaj, familjarët janë lajmëruar nga media që njeriu i tyre ndërroi jetë dhe janë ndeshur me një qëndrim sipas tij, të ftohtë e jo njerëzor në spital.
“Jemi njoftuar nga medias që kryefamiljari ndërroi jetë. Ne ishim aty dhe nuk na u dha asnjë informacion. Kur i pyetëm nëse ky informacion ishte i vërtetë ata thanë: “Po, vdiq”. Ishte një ftohtësi që na rëndoi pjesën emocionale. Është situatë shumë e vështirë për ne. Një person i shëndetshëm shkon te Prokuroria, dhe nuk gjen drejtësi. Si mundet që një njeri shkon për të marrë informacion. Del jashtë dhe pi fotostoksinë. Si mund të ketë ndodhur kjo. Edhe SPAK, besoj te SPAK-u që gjërat mund t’i ndryshojë gjërat në Shqipëri, si mund të japë një informacion të tillë. Ka patur aty një injorim pse ky njeri erdhi prap. Këto vendimet e gjykatave që jane abuzive duhet t’i marrë parasysh. Dhe ana njerëzore, si munden të njoftojnë median ndërsa ne që ishim aty na thonë “po normal, e dinim ne këtë”. Një pesimizëm ekstrem”, vijon më tej Gledis Trashaj.
Pas ekzaminimeve procedurale në Departamentin e Mjekësisë Ligjore trupi do t’iu dorëzohet familjarëve për ta përcjellë në banesën e fundit.
(BalkanWeb)
