Pokeri ndaj Leçes dhe rritja e distancës në 7 pikë ndaj Lacios (kjo e fundit ka një ndeshje më pak) nuk i gënjen tifozët e Juventusit dhe as Mauricio Sarrin, që nuk fshihet dhe flet për një ndeshje ku u vuajt fizikisht, ndonëse mentaliteti ishte ai që duhej.

“Zonja e Vjetër” po çalon në këtë rinisje post-pandemi dhe nuk mund të jetë vetëm çështje e gjendjes fizike. Ajo po shfaq përmirësime të ngadalta sidomos në mesfushë, por të paktën mund të mbështetet te mbrojtja e fortë dhe në sulm.

Asnjë gol i pësuar që kur ka rinisur futbollit është një statistikë që i jep mbrojtjes bardhezi shumë merita dhe përveç dyshes Bonuçi-De Ligt meritojnë një duartokitje dhe Matuidi e Kuadrado, që kanë mbuluar më së miri emergjencën në krahët e mbrojtjes.

Për vrullin final mes titullit dhe Championsit, situata është kjo: të vendoset rregull në mesfushë. Një problem që Juvja po e vuan që nga nisja e sezonit dhe që shumë probleme janë maskuar nga paraqitjet e mira të Pjaniçit. Por tani boshnjaku po vuan një rënie fizike dhe lajmet e shkëmbimit me Arturin nuk e ndihmojnë psikologjikisht. Për momentin vetëm Bentankur po i jep sinjale pozitive Sarrit. Ramsej dhe Rabio nuk janë integruar kurrë siç duhet dhe brishtësia muskulare e Khedirës nuk përbën më lajm. Shto këtu edhe Matuidin që duhet të bëjë mbrojtësin… atëherë mesfusha bardhezi ka më shumë se një problem.

Por për fat sulmi po fuksionon dhe me rikthimin e Higuainit ka më shumë garnazi. Madje për herë të parë në këtë sezon Kristiano Ronaldo, Dibala dhe “El Pipita” kanë realizuar të tre në të njëjtën ndeshje. Kjo e bën Sarrin të buzëqeshë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb