Policia e Sarandës ka zhvilluar një operacion pasditen e së mërkurës, ku ka sekuestruar katër armë zjarri tip “Glock”.

Operacioni është zhvilluar në tunelin e Skërficës, në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë. Sipas burimeve paraprake, armët janë gjetur në një automjet që dyshohet se kishte destinacion qytetin e Sarandës.

Nuk dihet ende numri i personave të arrestuar nga ky operacion, ndërsa mësohet se një prej tyre është nga Mallakastra.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale.

Njoftimi:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i një hetimi me metoda speciale, kryer në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose në grup, përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale dhe për sigurinë e qytetarëve, finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike, Njësia Fier, dhe me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, operacionin e koduar “Mekanizmi”.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur në vëzhgim automjetin që drejtonte 31-vjeçari dhe në tunelin e Skërficës kanë kryer ndalimin e tij.

Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme, 4 armë zjarri (pistoleta) që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri, në pjesë, dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen një grupi kriminal në Sarandë.

Hetimi vijon me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb