Drejtoria e Policisë Vendore Shkodër ka sqaruar ngjarjen e sotme në Theth, teksa u raportua se është sulmuar me bomba molotov një fadromë e IKMT-së si dhe është djegur një urë e vogël me dërrasa.
Në lagjen “Gjelaj” të Thethit mjetet e IKMT kanë qenë duke lëvizur në vijim të operacionit për shembjen e objekteve pa leje.
Policia sqaron se rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.
“Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore”, thotë policia.
Megjithatë, nga pamjet që ka siguruae BalkanWeb, një shishe molotov shpërthen pranë një eskavatori të IKMT, duke nxitur flakë, por pa shkaktuar dëme.
“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.
Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.
Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, vijon njoftimi i Policisë.
(BalkanWeb)
