Protesta kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë me Bashkinë e Lushnjës ka hyrë në ditën e 22-të, ndërsa qytetarët vijojnë të kundërshtojnë ndryshimin e propozuar të hartës administrative.

Gjatë tubimit, folësit paraqitën argumentet e tyre se përse, sipas tyre, Divjaka duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete. Ata kërkuan gjithashtu mbështetjen e deputetëve të zonës dhe këshilltarëve të Këshillit Bashkiak në qëndrimin kundër bashkimit me Lushnjën.

Në protestë nuk munguan as thirrjet kundër ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Protestuesit kërkuan që ai të shpallet “non grata” në Divjakë, duke kundërshtuar rolin e tij në procesin e riorganizimit territorial.

Me ironi u prit edhe qëndrimi i deputetit Erion Braçe. Protestuesit rikujtuan deklaratat e tij të mëparshme në mbështetje të Divjakës, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e tij aktual lidhur me të ardhmen e bashkisë.

Në përfundim të tubimit, qytetarët marshuan në rrugët e qytetit, duke vijuar me thirrjet kundër shkrirjes së Bashkisë Divjakë.

Protestuesit deklaruan se do të rikthehen sërish ditën e nesërme dhe bënë thirrje për një pjesëmarrje edhe më të madhe.

Në sheshin ku zhvillohet protesta ishte vendosur një banderolë me logot e lëvizjes qytetare, e njëjta që një ditë më parë ishte shfaqur edhe në protestën në Tiranë, e vendosur nga një grup të rinjsh nga Divjaka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: