Ka nisur protesta e mbështetësve të opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku bashkë me liderin e PD, Sali Berisha, janë dhe deputetë e simpatizantë të PD.
Rreth 1500 punonjës policie do të jenë në terren këtë mbrëmje për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së opozitës e cila pritet të nisë para Kryeministrisë.
Dhjetëra protestues, janë mbledhur në shesh ku pritet që këtë radhë të mos ketë fjalime por vetëm marshim.
Orari i zhvillimit të protestës së PD është nga ora 19:00 deri në orën 22:00.
Policia doli me një njoftim dhe bëri me dije se nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit më 8 maj, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë sot nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit u bllokua lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
