Një protestuese kundër luftës është shfaqur në transmetim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One, duke mbajtur një pankartë në duar mbrapa prezantueses, në të cilin dënohej lufta në Ukrainë.

“Jo luftës. Ndaleni luftën. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë”-shkruhej në pankartë.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak”.
Teksa spikerja ka qenë duke lexuar lajmet, protestuesja ka thërritur “Ndaleni luftën. Jo luftës”.

Televizioni e ka larguar shpejt nga ekrani, duke transmetuar një material tjetër. Televizioni shtetëror Chanel One është burimi i vetëm i lajmeve për miliona rusë. Ai mbështet linjën e Kremlinit, sipas të cilit Rusia është detyruar të veprojë në Ukrainë për ta çmilitarizuar këtë shtet dhe për ta denazifikuar, si dhe për të mbrojtur rusisht-folësit nga “gjenocidi”.

Protestuesja, e identifikuar nga disa organizata si Marina Ovsyannikova, ka qenë më parë gazetare e këtij televizionit. Agjencia e lajmeve, TASS, ka thënë se ajo mund të përballet me akuza për shkelje të ligjit kundër diskreditimit të forcave të armatosura. Ky ligj, i cili është miratuar më 14 mars, dënon shkeljet e lidhura me diskreditim të forcave të armatosura në deri 15 vjet burgim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb