Është zbardhur ngjarja e djeshme në Kombinat, ku një person qëlloi me armë zjarri ndaj një automjeti në lëvizje.

Autori u arrestua nga policia, ndëresa në pranga ka përfunduar edhe shoferi i automjetit me të cilin udhëtonte 28-vjeçari.

Janë proceduar edhe 4 persona të cilët janë konfliktuar fizikisht me dy të arrestuarit, çka çoi deri në ngjarjen që fatmirësisht nuk kishte të lënduar.

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Quick Response”. Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, në Kombinat.

Qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin po lëviznin dy shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta me ta, duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve në afërsi, vihet në pranga autori.

Në pranga vihet edhe një 30-vjeçar, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nga ku autori qëlloi me armë zjarri.

Sekuestrohet automjeti i përdorur nga autorët gjatë ngjarjes, ndërsa vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit.

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:10, në Kombinat, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit R. K., 38 vjeç, dhe Zh. K., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në kuadër të operacionit “Quick Response”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
• O. A(V)., 28 vjeç
• S. B., 30 vjeç, të dy banues në Kombinat

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. K., Zh. K., F. K. dhe B. M.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 4 shtetasit e proceduar penalisht janë konfliktuar fizikisht me 2 autorët e ngjarjes. Pas konfliktit, për motive të dobëta, shtetasi O. A(V). ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të 38-vjeçarit, ndërsa shtetasi S. B. drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri 28-vjeçari.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb