Në ditën e dhjetë të protestave të studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë, rikthehet në vëmendje një video e shumë viteve më parë, ku kryeministri i sotëm Edi Rama shfaqet me hundën e fashuar, pas një episodi dhune ndaj tij, duke akuzuar pushtetin e asaj kohe për praktika fashiste dhe manipulim të zgjedhjeve.
Në pamjet e vjetra, Rama dëgjohet të deklarojë se drejtuesit e atëhershëm politikë kishin krijuar një sistem që u mohonte qytetarëve lirinë, ndërsa u ofronte iluzionin e pasurimit.
“U bënë demokratë në skenën politike, ndaj tani janë fashistë. Ata janë komplet fashistë dhe manipuluan zgjedhjet. Dhe i krijojnë popullit iluzionin se ‘mund të jesh i pasur pa qenë i lirë”, shprehej Rama në atë kohë.

Kryeministri nuk duhet të bënte sot me protestuesit dhe të rinjtë atë që përjetoi vetë vite më parë. Pamjet e dhunës ndaj të rinjve janë bërë virale, me studentët dhe gjimnazistët që kanë përjetuar dhunë policore, dëmtim të gjymtyrëve dhe kokës pas goditjeve me shkopinj gome nga efektivët. Të tjera raste janë ato të studentëve që janë dëmtuar rëndë nga plumbat e gomës.
Deklaratat e kryeministrit rikthehen në një moment kur qeveria që ai drejton përballet me protesta të vazhdueshme të studentëve, gjimnazistëve dhe pedagogëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Prej dhjetë ditësh, protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe denoncime për dhunë ndaj të rinjve dhe të miturve.
