Rrëshqitja masive e dherave nga kodra ka shkaktuar bllokimin e gjysmës së karrexhatës në aksin kombëtar Burrel-Rrëshen.
Rruga në një pjesë të mirë të gjatësisë është mbuluar nga balta, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, për shkak të rrëshqitshmërisë së lartë.
Veç rrëshqitjes së kodrës aksi Burrel – Rrëshen ka gropa të shumta, kryesisht pranë Urës së Urakës, të cilat herë pas here mbushen me çakull nga firma “Udha sh.p.k” që ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e saj, duke mënjanuar investimet serioze.
Për rrjedhojë, udhëtarët i bëjnë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar të marrë masa për rikonstruksionin e rrugës.
Aksi Burrel-Rrëshen mbetet ndër akset kryesore në veri të vendit, pasi shërben për të lidhur qarkun e Dibrës me atë të Lezhës.
